Prezantohet projektligji "Për Mbrojtjen Civile", Xhaçka: Rregullatori i ri për parandalimin dhe përballimin e emergjencave

Fotogaleria

010

Institucionet shtetërore do të jenë më të përgatitura për parandalimin dhe përballimin e situatave të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Projektligji "Për Mbrojtjen Civile", i cili pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, reformon tërësisht bazën ligjore, strukturore dhe organizative të mbrojtjes civile. Prezantimi i projektligjit u bë në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandantë të forcave, prefektët e qarqeve, përfaqësues nga bashkitë dhe efektivë të FA të cilët angazhohen në raste e emergjencave civile.

020

Ministrja Xhaçka falënderoi efektivët e FA të angazhuar në rastet e emergjencave civile, për të folur më pas për ndryshimet thelbësore që sjell projektligji në qasjen e institucioneve shtetërore dhe subjekteve private para, gjatë dhe pas situatave të fatkeqësive natyrore.

030

Kryeministri Rama falënderoi lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes për mundësimin e tranzicionit të Emergjencave Civile nën ombrellën e re si dhe vlerësoi rezultatet e arritura në kaq pak kohë. Kreu i qeverisë vuri në dukje mangësitë ligjore, strukturore apo edhe papërgjeshmërinë e treguar gjatë dekadave të fundit dhe vlerësoi projektligjin e ri.

VIDEO:

Më poshtë fjala e plotë e ministres Xhaçka në prezantimin e projektligjit “Për Mbrojtjen Civile”:

 ***

I nderuar z. Kryeministër,
të nderuar ministra, deputetë
të nderuar prefektë, kryetarë të bashkive,

ju falënderoj që iu përgjigjët ftesës për të diskutuar mbi projektligjin e ri për Mbrojtjen Civile që ka një rëndësi vërtet të madhe për qytetarët shqiptarë.

Ju të gjithë, tashmë, keni pasur mundësinë të njiheni me brendinë e ligjit të ri, risitë që ai sjell e padyshim edhe detyrimet e përgjegjësitë që ai u ngarkon institucioneve, që ju përfaqësoni, prandaj ky është një moment i mirë për të diskutuar edhe njëherë sëbashku përpara se projektligji të marrë rrugën e miratimit.

Dua të falënderoj veçanërisht kryeministrin për praninë e tij këtu padyshim, por edhe për mbështetjen që na ka dhënë gjatë të gjithë punës që kemi bërë për ligjin e ri për Mbrojtjen Civile, i cili, nuk e teproj nëse them, që sjell një revolucion në të gjithë qasjen e institucioneve shqiptare, por edhe të shoqërisë shqiptare, ndaj emergjencave civile. Dhe si çdo revolucion institucional e ligjor, edhe ligji i ri për Mbrojtjen Civile ndryshon status quo, prek interesa e kompetenca, ngarkon detyrime e sanksione, natyrshëm ngjall edhe rezistencë e diskutime.

Siç e dini, ka kaluar rreth një vit e gjysmë që kur përgjegjësia për emergjencat civile, bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile ka kaluar tek Ministria e Mbrojtjes. Ishte një përgjegjësi e madhe, por që besoj që kemi ditur ta përballojmë më së miri gjatë kësaj periudhe kur sfidat nuk kanë munguar.

Kështu u përballuan e u menaxhuan përmbytjet në Jug në 2018 dhe ato në Qarkun e Shkodrës në mars 2018, zjarret, sidomos gjatë vitit 2018, por edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, tërmetet në Dibër e Lezhë në gusht 2018, apo ai në Korçë në 2019.

Përtej këtyre situatave emergjente, kemi realizuar edhe disa projekte të rëndësishme parandaluese, ku do të veçoja forcimin e argjinaturës së Vjosës ne bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, duke siguruar komunitetin atje nga rreziku i përmbytjeve të vazhdueshme të Vjosës.

Sot që flasim, janë rreth 400 milion lekë, pra 4 milion dollarë, të akorduar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financës për emergjencat civile për realizimin e disa projekteve të përgatitura nga Ministria e Bujqësisë, kryesisht për ndërtim argjinaturash dhe rehabilitim të shtretërve të disa lumenjve, duke siguruar kështu komunitetet e atyre zonave, përgjatë Shkumbinit e Vjosës, por edhe përgjatë disa përrenjve problematikë si ai i Pllanës, apo Troshanit, nga rreziku i përmbytjeve.

Dhe përfitoj nga rasti këtu, që të falënderoj nga zemra, të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, të FA, por edhe të njësive të qeverisjes vendore, prefektët, forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në përballimin e këtyre situatave.

Është bindja ime që nëse këto situata janë përballuar me sukses, duke arritur të sigurohen pikë së pari jetët dhe shëndeti i qytetarëve, por edhe pronat e infrastruktura, kjo i detyrohet mbi të gjitha profesionalizmit dhe përkushtimit të këtyre djemve e vajzave e burrave e grave.

E them këtë, sepse situatat në fjalë, ishin të vështira jo thjesht për shkak të furisë së natyrës, por edhe për shkak të problemeve të mëdha strukturore, ligjore e organizative me të cilat na është dashur të përballemi. Dhe ishte kjo eksperiencë që na bindi e na motivoi edhe më shumë për reformimin e këtij sektori. Një reformë që fillon me ligjin e ri për “Mbrojtjen Civile” që diskutojmë sot.

Drejtori Çako i preku në fjalën e tij disa nga risitë kryesore që sjell ky projektligj. Që janë vërtet të rëndësishme. Por pjesa absolutisht më e rëndësishme e këtij projektligji është se ai sjell një revolucion në mënyrën sesi ne i qasemi emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parandalimi dhe zvogëlimi i riskut.

Një autor i njohur amerikan, Thomas Friedman, që është marrë shumë me mënyrën sesi shoqëritë e shtetet reagojnë ndaj ndryshimeve klimatike, krizave e emergjencave, thotë se shumica kanë politika e qasje me të cilat gënjejnë veten njësoj si një njeri që hidhet nga kati i 20 dhe për 19 katet e para beson se është duke fluturuar. Këtë kemi bërë edhe ne apo jo? Ka pasur ndër vite një shpërfillje e mungesë përgjegjësie të plotë ndaj parandalimit, ndaj parapërgatitjes apo zvogëlimit të riskut. Një qasje tafti bafti dhe një besim që s’e di nga buronte, që s’do të na gjejë gjë e s’do të ndodhë gjë. Ka pasur një mungesë përgjegjshmërie ndaj qytetarëve, pasi siç mund t’ju thotë çdo specialist e çdo raport ndërkombëtar, Shqipëria është një nga 10 vendet e para në botë përsa i përket riskut të lartë ekonomik, ku 86% e territorit është e ekspozuar ndaj dy ose më shumë rreziqeve. Apo, siç thotë “Raporti i riskut botëror” i 2016 - që duhet thënë që ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne, - përsa i përket indeksit të riskut nga fatkeqësitë natyrore, Shqipëria renditet si vendi më i rrezikuar në Europë dhe i 40 në botë.

Por, me ligjin për “Mbrojtjen Civile”, ne sjellim sot një ndryshim vërtet të rëndësishëm në këtë drejtim. Nga sot, krahas fuqizimit të kapaciteteve reaguese, fillon edhe puna për të zvogëluar riskun me të cilin përballet vendi ynë dhe qytetarët. Është një qasje identike me atë që zbatohet tashmë prej kohësh në mjekësi, ku çdo mjek mund t’ju thotë që parandalimi është jo vetëm shumë më efikas, por edhe me kosto më të ulët, sesa reagimi ndaj sëmundjes.

Ajo që vlen për t’u theksuar po ashtu është fakti që duke miratuar këtë ligj Shqipëria përmbush edhe parametrat e “Kuadrit Sendai” për Reduktimin e Riskut dhe të Fatkeqësive 2015 - 2030 të miratuar nga OKB dhe, i hap rrugë më në fund, anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane, (UCPM - Union Civil Protection Mechanism) që është një mekanizëm bashkëpunimi dhe koordinimi për reagimin ndaj fatkeqësive në Europë e më gjerë. Dhe besoj është një fakt i papranueshëm që sot, vetëm Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovina mbeten ende jashtë këtij mekanizmi si pasojë e neglizhencës për të reformuar këtë sektor gjatë dekadave të fundit.

Sigurisht, mes të thënit e të bërit ka një rrugë të gjatë. Zbatimi i këtij ligji, ndërtimi i mekanizmit që ai parashikon, do të kërkojë shumë punë dhe shumë angazhim nga një sërë institucionesh. Do të kërkojë, po ashtu, edhe shumë më tepër koordinim ndërinstitucional, më shumë kapacitete dhe më shumë fleksibilitet në adresimin e çështjeve e zvogëlimit të riskut të fatkeqësive dhe mbrojtjes civile, çka nuk mund të arrihet përmes strukturës aktuale. Prandaj një nga risitë që sjell projektligji është transformimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të jetë një strukturë e përhershme ndërinstitucionale e nivelit të lartë, me shumë më tepër autoritet, me kapacitete shumë më të mëdha administrative, teknike dhe financiare krahasuar me ato aktualet, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera të krahasueshme edhe me të gjitha strukturat homologe.

Ka edhe një tjetër aspekt që dua ta theksoj fort dhe që lidhet me ndarjet e qarta të përgjegjësive dhe mbajtjen e përgjegjësisë përpara ligjit nga çdo institucion e, veçanërisht, nga njësitë e qeverisjes vendore, të cilat deri më sot kanë neglizhuar në masë të madhe respektimin e parimit të subsidiaritetit edhe pse ky parim është sanksionuar me ligj që në vitin 2015.

Ligji përmban parashikime të qarta për çdo institucion, parashikime që fillojnë që nga fondi i buxhetit që duhet alokuar çdo vit për emergjencat e deri tek detyrimi për hartimin e planeve të emergjencës, krijimin e bazës së të dhënave e kështu me radhë. Ligji nuk lë vend për interpretime. Përgjegjësitë janë e zeza mbi të bardhë, ashtu si sanksionet, për ato institucione që nuk i përmbushin detyrimet e tyre.

Por meqë jemi tek bashkitë unë dua të ngre edhe një problem tjetër që lidhet me kontrollin e territorit, pasi zvogëlimi i riskut e parandalimi fillon pikërisht aty. Nëse sot ne kemi probleme me përmbytjet apo me zjarret kjo sigurisht që lidhet edhe me humbjen e kontrollit mbi territorin për dekada të tëra, ku u prenë pyje, u ndërtua kudo, u shkatërrua infrastruktura, shtretërit e lumenjve sikur të mos kishte të nesërme, duke na lënë në trashëgimi këtë situatë që kemi sot.

Në fakt, ajo që ndodhi në Shqipëri që nga 1991 e këtej, i ngjan atij tregimit “Lumi i Madh” të Mitrush Kutelit, e keni lexuar besoj? Ku një fshat i tërë u sul të ndërtonte dyqane e shtesa e kotece deri në shtrat të lumit, derisa një ditë lumi vërshoi e i mori të gjitha përpara.

Reforma Administrative dhe lufta e qeverisë për të kontrolluar territorin kanë dhënë padyshim rezultate shumë pozitive. Por, ju mbetet bashkive, që ta çojnë më tej këtë beteje dhe të bëjnë më shumë për të korrigjuar gabimet e së shkuarës.

Ky ligj është një hap i rëndësishëm, por është vetëm një hap i parë drejt ngritjes së një mekanizmi shumë kompleks por shumë efikas për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, jetët dhe pronën e tyre. Do të duhet shumë punë. Disa nga pjesët më të rëndësishme, siç janë edukimi i fëmijëve për mjedisin e emergjencat, apo promovimi i vullnetarizmit do të duan shumë kohë. Por ama, nëse kemi mësuar një gjë deri më sot është që nuk mund të vazhdojmë më me zgjidhje afatshkurtra e ad hoc, sa për të kaluar lumin, vetëm për të vrapuar pastaj drejt krizës apo emergjencës së radhës.




Kryesimi i Nismave Rajonale SEDM dhe A5 Shtator 2019 Shqipëria është një ndër vendet e rajonit më aktive në kuadër të Nismave Rajonale, kjo jo vetëm për shkak të anëtarësimit...
“Albanian Effort 19” 19 shtator 2019“Albanian Effort 19” mblodhi në Bizë rreth 800 efektivë nga Shqipëria, SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Turqia, Kroacia, Polonia, Italia, Gjermania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova...
Angazhimi i FA në shuarjen e zjarreve 09 shtator 2019Muajt korrik edhe gusht edhe pse më të nxehtët e vitit shënuan një numër të pazakontë zjarresh. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka thekson se gjatë kësaj periudhe në vend ka pasur 324 varta zjarri...
68 vjet Arma e Aviacionit 24 prill 2019Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri, u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e...
Shqipëria 10 vite në NATO Mars 2019Viti 2019 përkon me 10 - Vjetorin e Anëtarësimit të vendit tonë në NATO, më 1 Prill 2009...
Ditari Javor 2019Ditari, të rejat kryesore të javës...
Ministeriali i Mbrojtjes, Bruksel 26 - 27 qershor 26 - 27 qershor 2019Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi mori pjesë në punimet e Ministerialit të Mbrojtjes të NATO që u zhvillua në Bruksel,...
Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2019Janar 2019 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 11 (2019) Nëntor 2019Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 08 nëntor 2019Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Nëntor 2019
Ma En Pr Sh Di
28 29 30 31 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 1