Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

55 vjet, Akademia e Forcave të Armatosura

10 maj 2013

Foto Galeri

b_230_153_16777215_00___images_galeria_2013_Maj_10_5.jpgSot paradite, në sallën e auditoriumit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua ceremonia jubilare me rastin e 55-vjetorit të krijimit të Akademisë së Forcave të Armatosura. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Bërdo, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha, këshilltari i Kryeministrit z. Ferdinand Xhaferri, rektorë të universiteteve dhe drejtues të institucioneve publike, gjeneralë, ish-komandantë dhe ish-pedagogë të kësaj Akademie, përfaqësues të CUBIC, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti dhe rektori i Akademisë së Forcave të Armatosura, kolonel, dr. Agim Sula, të pranishmit i përshëndeti zëvendësministrja e Mbrojtjes, prof. dr. Arta Musaraj. “Dita e 10 majit e vitit 1958, ka hyrë në historinë e arsimit tonë ushtarak si dita e krijimit të institucionit të parë më të lartë arsimor të Forcave tona të Armatosura. Në 55 vite të ekzistencës dhe përpjekjeve për formim dhe edukim të burimeve njerëzore të FA, Akademia regjistron përpjekje ekzemplare, shpesh fryt i vetëmohimit, por gjithmonë frymëzuar nga ndjenjat më të larta dhe synimet madhore për vendin dhe kombin, përgjegjësitë kushtetuese dhe ndërgjegjësimit për peshën e arsimimit dhe kualifikimit të ushtarakëve e civilëve në të gjitha nivelet e drejtimit, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit”.

Në vijim të fjalës së saj, zëvendësministrja Musaraj theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura është mbartëse dhe reflektuese e moralit, vlerave dhe frymës atdhetare e patriotike të popullit, zëdhënëse e traditave të pasura të FA, qendër e rëndësishme e mendimit shkencor, kulturës dhe historisë ushtarake. Akademia dhe stafi pedagogjik përbëjnë sot një nga asetet kryesore dhe institucionet shtet dhe individ formuese , ekzemplare në tërë sistemin e institucioneve të arsimit të lartë publik të vendit.

Duke u ndalur në arritjet dhe eksperiencën e këtij institucioni, znj. Musaraj nënvizoi se konstatoj me kënaqësi se si Akademia Ushtarake ka ditur të përdorë në situatat e reja eksperiencën e akumuluar dhe ka bërë thesar me trashëgiminë në edukim e formim, duke ruajtur në mënyrë organike vijimësinë e përpjekjeve. Akademia e FA, stafi drejtues dhe akademik, ai ndihmës e mbështetës, ka dëshmuar vazhdimisht për nivele operimi jo vetëm të apdetuara, por dëshmojnë përqasje në edukim të niveleve më të avancuara përkrah homologëve tanë të Aleancës, me të cilët ndërvepron në koordinim dhe mbështetje. Jubileu i 55-vjetorit ka vijuar më tej ajo, e gjen Akademinë e Forcave të Armatosura me një format strukturimi konform standardeve të arsimit të lartë kombëtar, me fakultete, programe studimi të akredituara, të ciklit të dytë “Master Profesional” e “Master i Shkencave”, në studime në “Fushën e Sigurisë e të Mbrojtjes”, si dhe aplikim të programit të doktoraturës. Nisur nga sa tha më sipër, znj. Musaraj u shpreh: “Me ndjenjën e respektit dhe të konsideratës së lartë për gjithë protagonistët që i kanë dhënë zë dhe emër kësaj Akademie, ne jemi të sigurt se ky institucion do të mbetet vizionar, ekspert i fushave që mbulon, në pararojë të mendimit më të përparuar ushtarak të vendit. Auditorët e kësaj Akademie do të jenë në gjendje të përballojnë sfidat e reja, ridimensionimin e misionit të FA në kuadrin e mbrojtjes kolektive, në ndërgjegjësim për ridimensionimin e risqeve dhe sfidave të cilat përkufizojnë epokën tonë”.

“55 vjet thonë shumë në jetën dhe veprimtarinë e një institucioni sikundër është Akademia e Forcave të Armatosura. Duke e vlerësuar dialektikën e Akademisë nga këndvështrime analitike të çdo brezi, përvoje e realiteti, si dhe bazuar në potencialin intelektual, misionin e ridimensionuar të FA dhe vizionin tonë si vend anëtar i NATO dhe anëtar aspirues në BE, kemi bindjen dhe besimin e patundur se ky institucion i ka mundësitë të delineojë dimensione të reja dhe konturojë një vizion të ri që reflekton elementët cilësorë të filozofisë së re të arsimit ushtarak”, ka përfunduar fjalën e saj, zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj. Më pas, për të pranishmit u shfaq një dokumentarë kushtuar 55-vjetorit të krijimit të Akademisë së Forcave të Armatosura, si dhe vizituan ambientet e Muzeut të Akademisë.

Akademia e Forcave të Armatosura u krijua me Vendim të Qeverisë, Nr. 136, më datë 10 maj 1958, në Tiranë, në rajonin e Rrapit të Treshit, fillimisht me emërtimin Shkolla e Lartë Ushtarake. Gjatë historisë së saj 55-vjeçare, ajo ka ndryshuar disa herë emërtimin, por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj në funksion të edukimit të brezave të tërë ushtarakësh për t’i shërbyer në çdo kohë dhe në çdo situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që shtron koha. Akademia gjatë veprimtarisë së saj ka hedhur hapa cilësorë, duke u shndërruar në një qendër mësimdhënëse cilësore, por njëherësh edhe studimore , shkencore të evidentimit, studimit dhe përpunimit të mendimit ushtarak, bashkëkohor e doktrinar. Kjo Akademi gjatë gjithë jetës së saj ka njohur vetëm arritje dhe suksese. Kurrikulat e fakulteteve kanë qenë të njohura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Arritjet janë rrjedhojë e punës së palodhur të brezave të tërë pedagogësh që kanë punuar me përkushtim duke iu përshtatur sa më mirë kërkesave të kohës. Në këto 55 vite janë  arsimuar, trajnuar dhe kualifikuar në kurse të niveleve të ndryshme 6459 oficerë dhe civil. Në Kolegjin e Mbrojtjes, 96 ushtarakë dhe personel civil, në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, 74 ushtarakë dhe personel civil, në kurse 1 dhe 2 vjeçare , 3620 ushtarakë dhe personel civil, në kurse 2 dhe 3 mujore, 1294 ushtarakë, në kursin e avancuar të SHIU, 35 personel ushtarakë dhe civil, në kursin didaktik, 32 ushtarakë, etj.

Aktualisht, Akademia ka vijueshmëri dhe përputhje të plotë me politikën e re të arsimimit të FA sipas formatit perëndimor duke qenë pjesë e ndryshimeve dhe transformimeve të FA. Ajo bashkëpunon me institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit si: Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Universitetin e Tiranës, Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, Universitetin e Durrësit, Universitetin e Vlorës, Universitetin Europian të Tiranës, Universitetin “Illyria”, Qendrën “Franklin”, Qendrën “Hapësirë”, Qendrën “Marshall” në Gjermani, Qendrën e Studimeve të Larta të Mbrojtjes (CASD) në Romë, Akademinë e Drejtimit të Hamburgut, si dhe akademitë e kolegjet e vendeve anëtare të NATO, etj.