Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Paradë madhështore e Forcave të Armatosura Shqiptare

28 nëntor 2012

Foto Galeri

b_230_153_16777215_00___images_galeria_2012_Nentor_28_04.jpgParada ushtarake e Forcave të Armatosura, që u zhvillua sot pasdite në sheshin “Skënderbej” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë, ka shënuar një ngjarje të rrallë dhe mjaft solemne. Rreth 1800 trupa ushtarake dhe mbi 50 mjete të llojeve të ndryshme kanë parakaluar përpara qindra e mijëra qytetarëve të kryeqytetit, si edhe qytetarëve të ardhur nga gjithë Shqipëria, Kosova e trojet  e tjera shqiptare. Të pranishëm në këtë eveniment ishin presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, z. Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, kryeministri, z. Sali Berisha, presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura.

Gjithashtu nderonin me pjesëmarrjen e tyre presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanoviç, kryeministri i Republikës së Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Gianfranco Fini, zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Aleksandër Vershbow, eurodeputetë të Parlamentit Europian, ambasadorë të vendeve të huaja të akredituara në Tiranë etj.

Në fjalën e tij tejet emocionale, kryeministri Sali Berisha falënderoi në radhë të parë miqtë e pranishëm në festën tonë dhe uroi për një miqësi dhe bashkëpunim për shumë e shumë vite e shekuj të tjerë. Duke iu drejtuar qytetarëve të mbarë Shqipërisë dhe kombit tonë, z. Berisha theksoi se, “Në këtë vit jubilar, ne kemi nderuar më shumë se kurrë prijësit tanë: Ismail Qemal Vlorën, babain e Pavarësisë, themeluesin e shtetit shqiptar; Hasan Prishtinën, arkitektin e Shqipërisë etnike dhe të Pavarësisë së Shqipërisë; Isa Boletinin, Robin Hudin e shqiptarëve dhe të gjithë burrat fitimtarë të Pavarësisë. Ne i përjetësuam ata në rrugë, në sheshe, buste, shtatore në katër anët e vendit dhe viseve shqiptare’’. Më tej, kryeministri Berisha ka shprehur një mirënjohje të veçantë për popullin shqiptar, dhe e ka cilësuar këtë ditë feste të madhe si ditën e mbarë qytetarëve shqiptarë. “Këto 100 vite ju kaluat kohëra vuajtjesh, sakrificash mbinjerëzore, përjetuat luftëra, mjerime, pushtime, diktatura çnjerëzore dhe megjithatë, gjatë këtij shekulli, ju ndërtuat dhe krijuat me duart dhe mendjen tuaj diga dhe hidrocentrale, rrugë, fabrika, uzina, ullishte dhe bëtë që vendi ynë nga një vend që 20 vjet më parë renditej i treti më i varfër në botë, të ngrihet si Feniksi mbi mjerimin e tij dhe sot të rrisë të ardhurat për frymë jo 10 apo 20, por 30 herë më shumë se në 20 vitet që shkuan”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare. Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha u bëri një nderim të veçantë grave dhe vajzave shqiptare, minoritetit që jeton në Shqipëri, si dhe të rinjve shqiptarë kudo që janë, të cilëve u tha se Shqipëria do t’u jetë përjetë mirënjohëse për gjithçka keni bërë për lirinë dhe pavarësinë, ndërtimin dhe prosperitetin e saj.

Në këtë eveniment foli edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili në emër të qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj solli përshëndetje të veçanta për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, dhe u uroi gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë.

Më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në cilësinë e drejtuesit të paradës ushtarake ka dhënë komandën për fillimin e saj. Nën ritmin e marsheve të ekzekutuara nga Orkestra Frymore e FA ka nisur parada ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Përballë tribunës së festimeve të këtij jubileu të madh, janë rreshtuar përfaqësuesit e FA të Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Të parët që kanë parakaluar para tribunës janë veteranët e Luftës Antifashiste Çlirimtare, brezi i nderuar që  sublimoi jetën në Luftën Antifashiste, duke e rreshtuar vendin tonë në anën e koalicionit të fitimtarëve. Pas tyre me flamuj në duar, kanë parakaluar përfaqësues të vendeve anëtare të NATO. Në përbërje të kësaj Aleance politiko-ushtarake janë 28 vende anëtare, të cilat besojnë tek vlerat e lirisë. Ato janë: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, kanë parakaluar edhe flamurtarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, dy prej vendeve partnere që aspirojnë anëtarësimin në NATO.

Më pas para tribunës kanë parakaluar përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bijtë dhe bijat e UÇK të Kosovës heroike, që sot sollën flamurin e Republikës më të re të Ballkanit. Ata kanë parakaluar krenarë si pasardhësit e Heroit Legjendar, Adem Jashari.

Më pas, ka parakaluar kuadrati i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake dhe realizon komandën unike, në Forcat e Armatosura të RSH. Me plot ritëm e gjallëri kanë parakaluar kuadratet e Forcës Tokësore. Mes tyre dallonte kuadrati i Batalionit të Forcave Speciale dhe Batalionit Komando, të cilët kanë nderuar Shqipërinë në misionet paqeruajtëse, duke vepruar përkrah trupave të vendeve aleate në Bosnje, Irak, Afganistan, Çad etj. Ata kanë shkruar histori si ambasadorë të paqes në vendet e trazuara edhe me gjakun e dëshmorit, kapiten Feti Bedri Vogli.

Përpara tribunës kanë parakaluar me radhë, kuadratet me uniformën  e  bukur  të Forcës Detare, të Forcës Ajrore, të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, të Brigadës Logjistike, ushtarakë që kanë shkëlqyer në operacionet humanitare të emergjencave civile, në procesin e demontimit të municioneve të rrezikshme të trashëguara nga sistemi komunist. Pas tyre kanë parakaluar efektivat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Regjimentit të Mbështetjes, kuadratet e Komandës së Doktrinës e Stërvitjes, kuadrati i Agjencisë të Sistemeve të Ndërlidhjeve dhe Informacionit, prej të cilëve bëhet e mundur  lidhja dhe komunikimi në çdo moment,  i trupave tona në  misionet paqeruajtëse. Që nga misioni i parë i trupave tona në Bosnje-Hercegovinë, në vitin 1996 e deri më sot, Shqipëria ka kontribuar me rreth gjashtë mijë trupa. Kuadrati i Policisë Ushtarake mbylli parakalimin e trupave, ndërsa Truproja e Nderit e Forcave të Armatosura performoi një skenar veprimesh rreshtore me armë dhe koreografi, i cili vjen si një risi sot në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Më pas, parada ka vijuar me parakalimin e mjeteve dhe teknikës luftarake të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit. Paradën e mbylli kuadrati i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, një orkestër kjo, e mirënjohur që performon jo vetëm në ceremoniale të ndryshme shtetërore, por edhe në koncerte dinjitoze duke shpalosur vlera e nivel të lartë artistik.

Në paradën ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, morën pjesë rreth 1800 forca të vendosura në 32 kuadrate, nga të cilat 27 kuadrate nga Forcat e Armatosura, një kuadrat nga Policia e Shtetit, një kuadrat nga Garda e Republikës, një kuadrat nga Forca e Sigurisë të Kosovës, një kuadrat me veteranë dhe një kuadrat me flamurtarët e vendeve të NATO, të cilët nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë paradë. Po kështu, në paradë u ekspozuan rreth 50 mjete të tipave të ndryshme, që janë në përdorim të Forcave tona të Armatosura, si dhe 10 motoçikleta të Policisë së Shtetit.

Parada e Forcave tona të Armatosura demonstroi një gatishmëri dhe nivel të lartë stërvitor, aftësi profesionale për të qenë përherë të gatshëm në përmbushjen e misionit kushtetues. Kjo është një paradë dinjitoze, një përformancë e shkëlqyer e FA Shqiptare me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Kjo e sotmja është padyshim dëshmi e dinjitetit dhe krenarisë sonë kombëtare, e respektit për brezat që sakrifikuan e derdhën gjak, për luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë. Kjo paradë është njëkohësisht një mesazh i besimit, garancisë së sigurtë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë.