Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Dekorohen 12 personalitete të shquara të vendit dhe Forcave të Armatosura

E premte, 04 Dhjetor 2009 20:26

Video Galeri

4dhjetorl2.jpgPo sot pasdite, në Ministrinë e Mbrojtjes u organizua ceremonia e dekorimit nga ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami i 12 personaliteteve të shquara të vendit dhe Forcave tona të Armatosura.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami,  zv.ministrat e Mbrojtjes Zana Xhuka dhe Ekrem Spahia, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, familjarë dhe të afërm të personaliteteve që u dekoruan, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni mbresëlënëse ministri i Mbrojtjes Imami theksoi se, në këtë përvjetor të 97-të të krijimit të FA të Republikës së Shqipërisë, në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, kam detyrimin, nderin dhe kënaqësinë të evidentoj vlerat e personaliteteve civile e ushtarake, që kanë formuar tashmë kolonën historike të FA. Personalitetet e mëdha formojnë epoka të mëdha. Të krijosh dhe forcosh një ushtri kombëtare është një barrë e madhe dhe një shërbim i lartë për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut.

4dhjetori1lajm2.jpgSot vendi ynë dhe FA, ka vijuar më tej Ministri Imami, janë pjesë e Aleancës së madhe të lirisë dhe paqes, NATO-s. Në themelet e kësaj arritje historike janë padyshim edhe kontributet e vlerat e personaliteteve që nderojmë sot.

Në përfundim të fjalës së tij z. Imami shprehu edhe njëherë mirënjohjen e tij përmes dhënies së medaljes së lartë “Për shërbime të shquara”, të afërmve dhe familjarëve të këtyre personaliteteve, që me fisnikëri i kushtuan gjithçka atdheut.

Personalitetet që iu akordua nga Ministri i Mbrojtjes medalja “Për shërbime të shquara” janë:

1.Gjeneral Mehmet Pashë Dërralla, (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për4dhjetori2lajm2.jpg merita të shquara si personalitet ushtarak, themelues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe si Ministër i parë i Luftës i Shtetit Shqiptar”.

2.Gjeneral Ali Riza Kolonja (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ringritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve shtetërorë”.

3.Gjeneral Ismail Haki Tatzati (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen, reformimin dhe përsosjen e organizimit të armëve e shërbimeve të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare”

4.Gjeneral Xhemal Aranitasi (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen, modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare”

4dhjetori3lajm2.jpg5.Kapter Mujo Ulqinaku (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për trimëri dhe vetëmohim gjatë qëndresës për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit fashistë”

6.Major Abaz Kupi, (pas vdekjes), i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen e formacioneve luftarake nacionaliste dhe organizimin e qëndresës kundër pushtuesve fashistë”

7.Kolonel Muharrem Bajraktari (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen e Xhandarmërisë Ushtarake Shqiptare dhe të formacioneve luftarake nacionaliste për qëndresë kundër pushtuesve fashistë”

8.Gjeneral Major Dali Ndreu (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në drejtimin e formacioneve të mëdha për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe reformimin e Ushtrisë Shqiptare ”.

9.Zoti Safet Zhulali (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura”.

10.Nënkolonel Hamit Bali (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontributin e dhënë në ngritjen e Arkivit Ushtarak Shqiptar dhe drejtim me kompetencë të lartë profesionale”.

11.Kapiten Kamber Sejdini (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, për vetëmohim në mbrojtje të idealeve demokratike dhe për kontribut të veçantë në fushën e terminologjisë ushtarake shqiptare”.

12.Kapiten Islam Radovicka (pas vdekjes) i jepet medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar në çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazistë dhe për mbrojtjen e idealeve demokratike”.

Pas marrjes së medaljeve “Për shërbime të shquara” familjarë dhe të afërm të të dekoruarëve falënderuan Ministrin Imami për vlerësimin që u bëri figurave të tyre në këtë ditë jubilare të krijimit të Forcave të Armatosura.